Kryeministri Britanik ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus.
Pas marrjes së përgjigjes, ai është vetëizoluar në Downing Street.
Megjithatë Johnson nuk e ka ndërprerë punën dhe po vijon të drejtojë qeverinë nga izolimi.
Ka qenë vetë Johnson, i cili e ka konfirmuar informacionin nëpërmjet një postimi në Twitter.
Ai tregon, se pas temperaturës dhe kollës së vazhdueshme, iu nënështrua menjëherë testit.
“Në 24 orët e fundit kam pasur simptoma të lehta dhe kam rezultuar pozitiv në testin për koronavirusin. Tashmë jam vetëizoluar, por do të vazhdoj të drejtoj qeverinë dhe luftën ndaj COVID-19, nëpërmjet video-konferencave. Së bashku do ta mundim këtë. #QëndroninështëpiShpëtonijetë”, shkroi Johnson në Twitter.
Aktualisht Britania e Madhe numëron 11.658 raste me COVID-19, në mesin e të cilëve 578 të vdekur dhe 135 të shëruar.