Situata e koronavirusit në vendit tonë u përkeqësua ndjeshëm, duke shkuar në 123 të prekur.
Kjo ishte rritja më e madhe brenda 24 orësh, ku u identifikuan 19 raste të reja nga 74 testime të kryera.
Harta e të prekurve tashmë është zgjeruar në jug dhe veri, duke përfshirë Korçën dhe Shkodrën.
Mësohet se në qytetin juglindor, është mbyllur Kadastra, për shkak se njëri prej punonjësve ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Në Korçë ndërkohë numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 9, duke u bërë kështu qyteti i tretë pas Tiranës dhe Fierit me më shumë të infektuar.
Edhe në Shkodër po ashtu është mbyllur Kadastra e qytetit, pas identifikimit të rasteve të para me koronavirus.
Në qytetin verilindor janë regjistruar dy të prekur me koronavirus, njëri është oficer i Policisë Gjyqësore dhe tjetra, një 62-vjeçare, e cila ishte shtruar prej 4 ditësh te Sanatoriumi.
Për momentin, në spitalin Infektiv ndodhen 57 pacientë, dy prej të cilëve në terapi intensive, ndërsa pjesa tjetër janë në gjendje të stabilizuar në pavion.
Një lajm i mirë ndërkohë është shërimi i 10 pacientëve, të cilët rezultuan negativ në të dy testet e kryera.