Britania e Madhe numëron 2,626 të infektuar me Coronavirus, prej të cilëve 676 janë konfirmuar vetëm ditën e sotme, ndërsa numri total i personave që kanë ndërruar jetë është 104 viktima, prej këtyre 33 persona kanë humbur jetën ditën e sotme.
Në këto kushte kryeministri i vendit Boris Johnson ka vendosur që shkollat të mbyllen të premten deri në një njoftim të dytë.
Gjatë një konference për shtyp, Johnson u shpreh:
“Prandaj, ne kemi nevojë për shkolla për të siguruar dispozita për fëmijët e këtyre punonjësve kryesorë … dhe ata gjithashtu duhet të kujdesen për fëmijët me nevoja të veçanta. Për shumë prindër këto hapa do të jenë zhgënjyes. Kjo është arsyeja pse ne jemi duke punuar në masa të mëtejshme … për ta lejuar ekonominë që të ecë.”
Kujtojmë se Britania e Madhe bëri publike planin e masave ditën e djeshme me një shifër prej 333 miliardë paundësh, teksa vendosi që biznesi i vogël nuk do paguajë taksa për nje vit, si edhe do ketë ndihmë financiare nga 10 mijë deri në 25 mije paundë, ndërsa personat e papunë apo që humbasin punën do përfitojnë 90 paund në javë, për nevojat më bazike të ushqimeve.
Masa të ngjashme janë marrë në një pjesë të madhe të shteteve, teksa qeveria shqiptare nuk e ka ende gati një plan por ka premtuar se po punon rreth tij.
Deri tani në vendin tonë deri tani kanë humbur jetën 2 person dhe janë infektuar 59 të tjerë, teksa në Kosovë janë 20 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.