Ditën e sotme situata e Coronavirusit në vendin tonë u thellua më tej pasi u shënua një tjetër viktimë duke e çuar në 2 numrin e të vdekurve, teksa janë 59 persona të infektuar.
Së fundmi, mjeku Pëllumb Pipero ka qenë i ftuar në News24 ku ka folur rreth situatës aktuale, teksa është shprehur se Coronavirusi mund të kalojë pas 4 muajsh por përsëri thotë ai është një hamendësim pasi COVID- 19 ka shumë të panjohura.
Pipero paralajmëroi se këshillat dhe masat duhet të dëgjohen sot pasi nesër do të jetë shumë vonë dhe Shqipëria në përmasa mund të jetë edhe më keq se Italia.
“Faleminderi të gjithë qytetarëve shqiptarë që na kanë mirëkuptuar dhe kam një qortim shumë të madh për ata që nuk na kanë dëgjuar dhe nuk po na dëgjojnë. Shumë e rëndësishme ta kuptojnë sot, nesër vonë. Nipërit dhe mbesat nuk do të gëzojnë dot gjyshërit. Nëse duan të gëzojnë nipërit dhe mbesat atëhere të respektojnë këshillat. Kam të njëjtat informacione dhe në Itali, nuk i besojnë atyre që shohin në TV. Nuk është lojë, është luftë e vërtetë. Pandemi e cila ka shumë të panjohura. Askush nuk e kupton dot. Ka shumë të panjohura, kudo në Europë dhe në botë është vetëm fillimi. Kur më thanë që doli rasti i fundit në Kinë nga spitali thashë duhet kohë që të shihet. Unë them në 4 muaj të kalojë. Neve ende nuk e dimë çdo të ndodhë përtej kësaj pandemie. Ky virus mund të rikthehet prap pas një viti apo pas dy vitesh me ndryshime, me mutacione. Ende nuk kemi asnjë vaksinë apo mjekim antiviral. Sa kohë nuk kemi këto jemi para të panjohurve. Vaksina dhe medikamenti, e vetma armë që kemi është kujdesi. Kujdesi është më i rëndësishmi. E para nuk sëmuren ata, e dyta nuk sëmuren të tjerët, e treta ka më pak numra të atyre që na vijnë në psital. Shtimi i rasteve në Itali tejkalon çdo masë, kapacitet të mundshëm mjekësor. Ky eklipson mjekësinë dhe ekonominë.”
Mjeku bëri me dije se në QSUT ditën e sotme janë shtuar rreth 30 respiratorë të rinj, teksa tha se 3 të infektuar ndodhen në reanimacion në gjendje më të rënduar se të tjerët.
Nga ana tjetër, i pyetur se si mund ta kalojmë virusin në shtëpi pa shkuar në spital, mjeku u përgjigj:
1.Telefononi 127.
2.Hani shëndetshëm dhe pini shumë ujë.
3.Mos dilni jashtë.
Pipero theksoi se kujdesi në këtë situatë është shumë i rëndësishëm, pasi edhe vetë mjekët nuk e njohin mirë virusin i cili është shumë i ngjashëm me gripin normal.
Në rang botëror deri tani janë shënuar of 8,272 viktima dhe janë regjistruar 206,900 të infektuar në 170 shtete, ndërsa në vendin tonë deri tani kanë humbur jetën 2 person dhe janë infektuar 59 të tjerë, teksa në Kosovë janë 19 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.