Coronavirusi vijon të paralizojë botën, teksa sipas të dhënave të fundit, tashmë rezultojnë 208,184 të prekur nga Covid-19 në rang global.
Ndërkohë, së fundmi numri i viktimave ka shkuar në 8,272 ndërsa numri i personave që janë shëruar tërësisht është 82,902.
Ndonëse tashmë po rikuperohet dhe po i rikthehet normalitetit Kina vijon të jetë në vendin e parë në botë me 80,894 të infektuar dhe 3,237 viktima.
Ndërkohë, pas Kinës renditet Italia, vendi i parë në Europë si shteti më i prekur nga Covid-19, ku janë shënuar 31,506 të infektuar ndërsa kanë ndërruar jetë 2,503 persona.
OBSH, lajmëroi disa ditë më parë se Italia mbetet “vatra më aktive” e virusit.
Nga ana tjetër, edhe në shtetet e tjera europiane situata nuk paraqitet aspak e mirë.
Gjermania numëron tashmë mbi 11,000 të infektuar ndërsa vijon rekordin pozitiv me vetëm 27 viktima.
Ndërkohë, kujtojmë se në kuadër të masave të marra për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, Bashkimi Europian njoftoi ditën e djeshme mbylljen e kufijve të jashtëm për të paktën një muaj.
Kujtojmë se Irani radhitet i treti në rang global dhe numëron 17,361 persona të infektuar dhe 1,135 viktima.
Ndërkohë, në SHBA janë regjistruar 1, 115 raste të reja duke e çuar numrin e të infektuarve në 7,526 persona dhe 117 viktima.
Nga ana tjetër, shtete të ndryshme kanë ndërmarrë nisma e paketa të rëndësishme rreth mënjanimit të krizës ekonomike që mund të shkaktojë virusi.
Qeveria gjermane ka miratuar paketën më të madhe të ndihmës ekonomike të Gjermanisë, me vlerë 550 miliardë euro për kompanitë e ndryshme, duke iu ofruar atyre kredi për të mbajtur bizneset e tyre hapur.
Kryeministri italian Giuseppe Conte, ditën e djeshme ka miratuar dekretin ‘Cura Italia’ për emergjencën e Coronavirusit, duke ofruar 25 miliardë euro për familjet dhe bizneset.
Ditën e djeshme Britania e Madhe parashikoi planin e saj, që parashikon: 1 miliardë paundë ndihmë direkte për familjet në nevojë që shpërndahet menjëherë nga Këshillat Vendore; 3 muaj shtyje të pagesës së kredisë; 330 miliardë paundë para në treg për të ndihmuar biznesin; 25 mijë paundë ‘cash’ për çdo biznes të vogël (pub, bar, dyqan i vogël) së bashku me përjashtim 1 vit nga taksat; një paketë mbështetëse e mundshme posaçërisht për linjat ajrore dhe aeroportet; ndihmë direkt në para për këdo që humb punën në rreth 90 paund në javë.
Një shifër te çmendur ka menduar edhe administrata e Donald Trump në SHBA prej 850 miliardë dollarësh, teksa është bërë me dije se po mendohet që familjeve në nevojë tu shkojë çdo muaj një çek me para për nevojat e tyre.
Sipas mediave amerikane, besohet se çdo familje në nevojë te përfitojë 1 mijë dollarë në muaj.