Disa ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli Coronavirusin pandemi, pasi numri i të infektuarve dhe viktimave po rritet me shpejtësi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur gjendjen e emergjencës, ashtu si edhe një pjesë e shteteve europiane, teksa janë mbyllur shkolla e aktivitete publike, Bashkimi Europian ka mbyllur kufijtë dhe kanë nisur ndihmat e para për të shmangur krizën ekonomike.
Mirëpo, nga ana tjetër Kina duket se e ka kaluar me sukses betejën me COVID-19 dhe tashmë po i rikthehet normalitetit.
Ditën e sotme janë rihapur qendrat tregtare dhe restorantet të cilët u kanë shërbyer qytetarëve kinezë, sigurisht duke përmbushur standardet strikte për mbrojtjen nga infeksioni.
Rigjallërimi i bizneseve shihet si thelbësor për ekonominë kineze, kur vetëm në dy muajt e parë të vitit mësohet se rreth 5 milionë banorë humbën vendin e punës për shkak të epidemisë.
Kujtojmë se COVID-19 u shfaq në Kinë në fund të dhjetorit dhe ka infektuar mbi 81 mijë persona, nga të cilët 70 mijë janë shëruar dhe 3,240 persona kanë humbur jetën.
Sakaq, numri i pacientëve të rinjë që paraqiten me simptoma ka zbritur nën 20 persona në ditë.
Përmirësimi radikal i situatës ka bërë që autoritetet të mendojnë kthimin në vendet e mëparshme të punës së gati 42 mijë mjekëve dhe infermierëve të thirrur në detyrë në provincën e Hubeit në kulmin e epidemisë në janar dhe shkurt.
Ndërkohë, janë mbyllur të gjithë spitalet e përkohshme të hapur për të infektuarit dhe janë hapur shkollat, fabrikat dhe është rikthyer transporti urban.
Por, të dalësh fitimtare në një betejë të tillë nuk është e thjeshtë dhe shteti kinez feston sot falë masave të marra nga qeveria nga njëra anë dhe disiplinës dhe ndërgjegjësimit të banorëve nga ana tjetër.
Teksa, mjekësia nuk ka arritur ende të krijojë vaksinën që do i jepte fund betejës me COVID-19, kinezët vendosën të luftojë duke përdorur armën e tyre më të fortë:teknologjinë.
Kështu, firmat e robotikës kanë krijuar pajisje të ndryshme për dezinfektimin e hapësirave publike, që nisën nga THOR-1 dhe u përmirësuan një një kohë të shkurtër.
I gjithë vendi nën ‘renë’ e dezinfektuesve, si po e fiton Kina luftën kundër Coronavirusit (Video)
Ndërkohë, ekipe të vogla të njohura me kushtet e virusit dërgohen të ndajnë përvojën me kolegët e tjerë nëpër botë që tani përballen me krizën.
Madje ditën e djeshme ish-zv.ministrja e Drejtësisë Teuta Vodo, njoftoi se Ambasada e Kinës në Tiranë dhe Departamenti Ndërkombëtar i Komitetit Qëndror të Republikës Popullore të Kinës ka shprehur gatishmërinë për të vënë në dispozicion të qeverisë shqiptare materialet mbi praktikat dhe eksperiencën e palës kineze për parandalimin dhe kontrollin e pandemisë së nisur në Wuhan.
COVID-19 në Shqipëri: Kina shpreh gatishmërinë për të na ardhur në ndihmë
Në rang botëror deri tani janë shënuar of 8,272 viktima dhe janë regjistruar 206,900 të infektuar në 170 shtete, ndërsa në vendin tonë deri tani kanë humbur jetën 2 person dhe janë infektuar 59 të tjerë, teksa në Kosovë janë 20 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.