Ashtu siç ishte paralajmëruar, shtetet anëtare të Bashkimit Europian vendosën që të mbyllin kufijtë e jashtëm për 30 ditë në kuadër të masave të marra për parandalimin e Coronavirusit.
Lajmi është njoftuar nga kancelaria gjermane Angela Merkel gjatë një konference për shtyp, ku bëri me dije se lëvizjet e njerëzve që i përkasin 27 shteteve të Bashkimit Europian nuk do të ndalohen.
Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel u shpreh se BE do të organizojë riatdhesimin e qytetarëve të vendeve anëtare.
Kujtojmë se propozimi për mbylljen e kufijve të shteteve të BE-së u prezantuan të hënën nga presidentja e KE Ursula von der Leyen, teksa presidenti grancez Emmanuel Macron pohoi mbrëmjen e djeshme se kufijtë e BE do mbylleshin sot.
Në rang botëror deri tani janë shënuar 7,953 viktima dhe janë regjistruar mbi 197 ,000 të infektuar në 163 shtete, ndërsa në vendin tonë deri tani ka humbur jetën 1 person dhe janë infektuar 55 të tjerë, teksa në Kosovë janë 19 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.