Kanë kaluar rreth 3 muaj që nga identifikimi i COVID-19 dhe shkencëtarë të ndryshëm kanë bërë shumë studime.
Një studim i rëndësishëm është bërë nga studiuesit kinezë, të cilët kanë bërë disa kërkime lidhur me grupin e gjakut, i cili mund të preket më lehtësisht nga Coronavirusi se të tjerët.
Ata kanë arritur në përfundimin se njerëzit me grupin e gjakut “A” janë më të ekspozuar ndaj COVID-19, ndërsa më pak të rrezikuarit janë njerëzit me grupin e gjakut “O”.
Studiuesit morën në studim 2,000 pacientë të infektuar në Wuhan dhe Shenzhen dhe i krahasuan me popullsinë lokale të shëndetshme.
Në fund, zbuluan se pacientët me grupin e gjakut ‘A’ priren të shfaqnin simptoma më të rënda.
“Pacientët e infektuar nga Sars-CoV-2 me grupin e gjakut “A” mund të kenë nevojë për mbikëqyrje më vigjilente nga mjekët dhe trajtim agresiv” –ka thënë njëri nga studiuesit.
Nga 206 pacientë që kishin humbur jetën nga COVID-19 në Wuhan, 85 prej tyre kanë patur grupin e gjakut “A”, i cili e ka një vdekshmëri prej 63% më shumë sesa tipi “O”.
“Nëse jeni tipi “A”, nuk ka nevojë të jeni në panik. Nuk do të thotë që ju do të infektoheni 100 përqind. Nëse jeni tipi “O”, nuk do të thotë që të jeni plotësisht i sigurt. Ju ende duhet të lani duart dhe të ndiqni udhëzimet e dhëna nga autoritetet”- ka thënë njëri prej studiuesve.
Në rang botëror deri tani janë shënuar 7,953 viktima dhe janë regjistruar mbi 197 ,000 të infektuar në 163 shtete, ndërsa në vendin tonë deri tani ka humbur jetën 1 person dhe janë infektuar 55 të tjerë, teksa në Kosovë janë 19 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.