Teksa numri i të infektuarve nga Coronavirusi në vendin tonë ka shkuar në 55 persona dhe është shënuar viktima e parë, më në fund kryeministri Rama ka dhënë një lajm të mirë.
Me anë të një statusi në Facebook, ai njofton se pacienti i parë i pacientit zero, që kurohet në Spitalin Infektiv është drejt shërimit.
Ai doli negativ në testin e parë dhe nëse rezulton sërish negativ edhe në testin e dytë pas 48 orësh, atëherë ai mund të konsiderohet i shëruari i parë në vendin tonë.
Kujtojmë se bëhet fjalë për babain e 28-vjeçarit, të konsideruar si pacienti “zero” me COVID-19 në vendin tonë, 54-vjeçari me inicialet V.K.
Ai u infektua nga i biri me iniciale P.K, i cili kishte histori udhëtimi në Itali dhe ka infektuar gjithashtu edhe 6 familjarë të tjerë.
Ata janë me origjinë nga Puka, por jetojnë në Tiranën e Re, ku edhe kishin një lokal.
“NJË LAJM I MIRË
KONTAKTI I PARË I PACIENTIT ZERO QË KUROHET NË SPITALIN INFEKTIV DOLI NEGATIV NË TESTIN E PARË
NËSE EDHE NË TESTIN E DYTË PAS 48 ORËSH KY REZULTAT DO TË KONFIRMOHET, ATËHERË DO TË KEMI TË SHËRUARIN E PARË
TË PRESIM DHE TË LUTEMI QË ZOTI T’U JAPË FORCË TË SËMURËVE DHE HERONJVE ME BLUZA TË BARDHA, NË VIJËN E ZJARRIT ME ARMIKUN
DURIM, BESIM DHE DURIM, DURIM, DURIM!
Në rang botëror deri tani janë shënuar 7,531 viktima dhe janë regjistruar mbi 194 ,000 të infektuar në 163 shtete, ndërsa në vendin tonë deri tani ka humbur jetën 1 person dhe janë infektuar 55 të tjerë, teksa në Kosovë janë 19 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.