Ditën e djeshme, presidentja e KE Ursula von der Leyen nëpërmjet një reagimi në Twitter propozoi mbylljen e kufijve në të gjithë zonën Shengen, me përjashtim të disa kategorive.
Teksa Komisioni Europian nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për pezullimin e udhëtimeve në zonën Shengen, shumica e vendeve tashmë i kanë mbyllur kufijtë në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Deri më tani, vetëm pesë vende në Zonën Shengen – Belgjikë, Islandë, Suedi, Lihtenshtajni, Luksemburg – nuk kanë njoftuar ndonjë masë lidhur me mbylljen e kufijve, ndërsa 21 vendet e tjera anëtare kanë ndaluar hyrjen për shtetasit e huaj.
Austria ka mbyllur kufijtë e saj me Italinë, Zvicrën dhe Luksemburgun; Gjermania gjithashtu ka mbyllur disa nga pikat kufitare me Francën, Austrinë, Zvicrën, Luksemburgun dhe Danimarkën.
Në të njëjtën kohë, Portugalia ka mbyllur pjesërisht kufijtë e saj me Spanjën, ndërsa Zvicra ka mbyllur kufijtë me Gjermaninë, Austrinë dhe Francën.
Greqia, nga ana tjetër, ka mbyllur kufijtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Finlanda ka njoftuar se të gjitha kufijtë e saj do të mbyllen që nga 18 marsi.
Ndërkohë, presidenti francez Emanuel Macron tha dje se zona Shengen do të mbyllet sot në mesditë, përfshirë të gjitha kufijtë francezë, mirëpo nuk ka ende një njoftim zyrtar.
Sot Republika Çeke u vendos e gjitha nën karantinë, teksa Italia është karantinuar që nga 9 marsi.
Në rang botëror deri tani janë shënuar 7,531 viktima dhe janë regjistruar 190,929 të infektuar në 163 shtete, ndërsa në vendin tonë deri tani ka humbur jetën 1 person dhe janë infektuar 55 të tjerë, teksa në Kosovë janë 16 persona të infektuar me COVID-19.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.