Ditën e djeshme qyteti i Krujës u trondit nga një ngjarje e rëndë, ku për motive të dobëta shtetasi Sh.Halili, vrau nipin e tij Julian Halili, 41-vjeç, me armë zjarri.
Autori ra në prangat e policies në një kohë të shkurtër, teksa policia njofton se kanë bërë të mundur gjetjen edhe sekuestrimin e armës së krimit, një pistoletë TT.
Kontrolli i territorit ka zgjatur gjithë mbrëmjen e djeshme deri sot në mëngjes, ku është gjendur dhe një armë zjarri tjetër, pushkë, që e posedonte autori i krimit.
Armët ishin fshehur larg banesës dhe gjetja e tyre është bërë duke përdorur pajisje speciale metalkërkuese.
Halili ndodhet në paraburgim dhe pritet të gjykohet së shpejti për 2 veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
NJOFTIMI I PLOTË:
Krujë
Policia gjen dhe sekuestron armën e krimit, pistoletë TT.
Gjendet dhe një armë zjarri tjetër, pushkë, që e posedonte autori i krimit.
Gjetja, pas kontrolleve me njësinë e specializuar të FNSH Tiranë, duke përdorur pajisje speciale metalkërkuese.
Autori, një orë pas ngjarjes, si rezultat i reagimit të shpejtë dhe rrethimit të zonës nga Policia, u vu në pranga.
Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Krujë, ato të DVP Durrës dhe të FNSH Tiranë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në fshatin Halil, Krujë, ku shtetasi SH. H., 59 vjeç, për motive të dobëta, vrau me armë zjarri nipin e vet, shtetasin R. H., 41 vjeç, organizuan punën për kapjen e autorit të vrasjes.
Pas një ore rrethimi të zonës dhe vendit ku fshihej, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të ngjarjes, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollin gjatë natës dhe paradites së sotme, të gjithë territorit ku dyshohej se autori kishte fshehur armën e zjarrit.
Si rezultat i kontrolleve nga një grup i specializuar i FNSH Tiranë, me pajisje speciale metalkërkuese dhe pas kontrolleve të shumta u bë e mundur gjatja në terren e armës së krimit, pistoletë TT dhe e një pushke gjysmë automatike, të cilat autori i kishte fshehur larg banesës.