Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në Facebook ka bërë të ditur detajet se çfarë përmban Akti Normativ për masat e marra ndaj Coronvirusit që ka hyrë në fuqi sot.
Akti normative ndër të tjera detyron spitalet private dhe hoteleritë të vihen në dispozicion të të prekurve me COVID -19.
Kreu i qeverisë bën me dije se sipas aktit normativ thuhet se moszbatimi i këtij urdhri dënohet me gjobë deri në 5 milionë lekë.
AKTI NORMATIV HYRI NË FUQI DHE NGA SOT KA FORCËN E LIGJIT DERI NË PËRFUNDIMIN E LUFTËS
Ndër të tjera:
NË VARËSI TË DINAMIKËS SË SPITALIZIMIT TË TË PREKURVE NGA COVID-19, ME URDHËR TË MINISTRIT PËRGJEGJËS PËR SHËNDETËSINË, VENDOSEN NË DISPOZICION EDHE STRUKTURAT PRIVATE SPITALORE, AMBULATORE, HOTELIERE, AUTOAMBULANCAT DHE PERSONELI PËRKATËS, SHËNDETËSOR E MBËSHTETËS.
MOSZBATIMI I KËTIJ URDHËRI DËNOHET ME GJOBË NË MASËN 5 000 000 (5 MILIONË) LEKË. NË RAST MOSBINDJEJE PAS VENDOSJES SË GJOBËS, STRUKTURA PËRKATËSE VENDOSET FORCËRISHT NË DISPOZICION TË SHËRBIMIT PUBLIK SHËNDETËSOR DHE PERSONELI PËRKATËS ËSHTË I DETYRUAR TË SHËRBEJË NËN DREJTIMIN SHTETËROR TË STRUKTURËS GJATË GJITHË KOHËZGJATJES SË INFEKSIONIT.
Ju kujtojmë se vendimi i parë që mori qeveria menjëherë me mbërritjen e COVID-19 në vendin tonë ishte mbyllja e shkollave dhe anulimi i aktiviteteve publike.
Ky vendim u pasua me mbylljen e vendeve publike, ndalimin e qarkullimit të mjeteve private, vendosja e postblloqeve në qytete të ndryshme me qëllim evidentimin e personave të ardhur nga Italia e që nuk vetëkarantinohen etj.
Deri tani në vendin tonë janë regjistruar 38 persona të infektuar dhe 1 viktimë nga Durrës, ndërsa në Kosovë janë 5 të prekur.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.