Shqipëria ndodhet sot në ditën e dytë të shtetërrethimit.
Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar ndalimin e qarkullimit për të gjitha makinat e private deri të dielën në mesnatë, si masë parandaluese ndaj koronavirusit.
Mirëpo jo të gjithë i janë bindur urdhërit të kryeministrit, shkruan “Panorama”.
Gjatë mesditës së sotme, në bulevardin e ri në Tiranë, dhjetëra automjete kanë qarkulluar të pashqetësuar, si të ishte ditë normale.
Policia bën me dije se më shumë se 700 drejtues mjetesh janë ndaluar, ndërsa janë arrestuar 5 të tjerë, të cilët ishin të dehur në timon.
Shefi i qeverisë paralajmëroi ditën e sotme se kush kapet duke qarkulluar me makinë pa autorizim, do t’i hiqet patenta për 3 vite si dhe do t’i bllokohet mjeti.
Duke qenë se numri i qytetarëve që dolën shëtitje ditën e sotme ishte i madh, kryeministri ndaloi lëvizjen nëpër parqe, në Tiranë, Durrës dhe qytetet e tjerë të prekur nga koronavirusi.
Autoritetet ndërkohë kanë vijuar me thirrjet për qëndrimin në shtëpi të qytetarëve dhe respektimin e rregullave të higjienës.
Në vendin tonë janë regjistruar 33 prekur dhe 1 viktimë nga koronavirusi, ku 12 prej tyre ndodhen në repartin e Infektivit në QSUT.