Mbrëmjen e sotme kryeministri Edi Rama me anë të një video ‘live’ në Facebook u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve.
Rama bëri me dije se nga e diela edhe Fieri, Vlora, Lezha, Elbasani do të jenë po aq të kufizuara në lëvizje si Tirana e Durrësi dhe po ashtu lokalet dhe objektet e shërbimit do të mbyllen njësoj si në këtë perimetër, duke e zgjeruar karantinën e vendeve të prekura.
“Kudo do të mbyllen lokalet dhe mjediset e mbyllura sipas të njëjtave kategori si në Tiranë e Durrës. Nga e diela, ora 06:00 do të ndalojë qarkullimi nacional Vlorë-Fier, Lezhë-Durrës, Elbasan-Korçë. Në perimetrin e blinduar do të këputen lidhjet për këto qytete për autobusë dhe mjete private. Do të qarkullojnë vetëm mjetet e lejuara.”-tha Rama.
Personat që punojnë në administratën shtetërore dhe që nuk mund të punojnë nga shtëpia këto ditë do të akreditohet, ndërsa kompanitë private do të sigurojnë transportin për punonjësit e tyre.
Lidhur me mediat, Rama tha se do të jenë të detyruara të zbatojnë urdhërin e AMA-së për të mos zhvilluar programe me më shumë se dy persona.
“Po sot, kemi punuar për aktin normative për masat dhe sanksionet, ju informoj se sanksionet do të jenë të ashpra dhe do të përshkallëzohen. Mediat të ndërpresin çdo program me më shumë se 2 persona. Mediat ku punohet me kondicioner dhe ka më shumë se 2 persona për spektakël janë vatra të rrezikshme për armikun e padukshëm. Evitoni kondicionerët, hapni dritaret. Kështu miq, kjo do të jetë jeta jonë në periudhën që kemi para. S’na falet të bëjmë tjetër në këtë të keqe të madhe që na zuri.”-tha kryeministri.
Po ashtu, kryeministri bëri me dije se kufiri grek do të jetë i hapur vetëm për makinat private që hyjnë nga Greqia apo dalin nga vendi ynë.
“Themelorja e kësaj lufte. Shumëkush vazhdon ti bjerë. S’do të ndjejë kurrë asgjë dhe kurrë s’do e dijë nëse e ka marrë koronën. Secli duhet të sillet sikur e ka koronën dhe duhet të ruajë të tjerët. E dyta, s’mjaftojnë disa shenja gripi për t’u alarmuar. Masat shtrënguese, s’dimë si do të veprojmë, askush në botë nuk e di. Ama, sa më shumë të shtrëngohemi sot, aq më shumë kemi bërë tonë. Durim miq, aspak frikë por shumë shumë kujdes. 80% e atyre që kanë simptoma kanë sukses duke ndenjur në shtëpi. Sot, ndërpremë fluturimet, transportin detar dhe autobusët me Greqinë. Autoveturat do të vijojnë normalisht.”-tha Rama.
Deri tani në vendin tonë janë prekur 33 persona dhe ka humbur jetën një 73-vjeçare, teksa edhe Kosova ka shënuar 2 rastet e para.