Vijojnë të ashpërsohen masat në kuadër të parandalimit të përhapjes së Coronavirusit në vendin tonë.
Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë njofton se është urdhëruar mbyllja e të gjitha kafeneve, restoranteve, lokaleve e fast food-eve, në mbarë vendin deri më 3 prill.
Në urdhrin e Ministrisë, sqarohet se përjashtohet nga ky vendim vetëm shërbimi në banesë, i cili duhet të kryhet duke respektuar rregullat higjienike të miratuara.
Më tej në njoftim thuhet se të gjitha subjektet që nuk i binden urdhrave do gjobitet.
Ndërkohë vijon “shtetrrethimi” i nisur mëngjesin e sotëm dhe që do vijojë deri të dielën teksa Rama ka njoftuar se Policia e Shtetit ka identifikuar të gjithë qytetarët që kanë hyrë nga Italia në Shqipëri 14 ditët e fundit.
Rama paralajmëron: “Janë identifikuar të gjithë shqiptarët që kanë hyrë nga Italia”
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës.