Këtë të premte numri i të infektuarve nga Coronavirusi në rang botëror u rrit me 3,059 raste të reja, nga të cilët 6 persona humbën jetën.
Italia vijon të jetë vendi më problematik me 15, 113 persona të prekur dhe 1,016 viktima .
Nga një vështrim i statistikave vihet re se nga shtetet që janë goditur më shumë nga virusi, Gjermania ka një situatë më të normalizuar me 2,786 të prekur dhe 6 viktima.
Por, çfarë po bën Gjermania për të monitoruar situatën?
Mjekët vendas thonë se që nga fillimi i prekjes nga COVID-19 deri tani ata u kanë bërë thirrje sistematikisht njerëzve që të bëjnë tamponin(testin për Coronavirusin).
Madje, shtojnë më tej se sistemi gjerman mund të sigurojë “testimin në një shkallë të lartë, në mënyrë që të mund të shohin me lehtësi fillimet e epidemisë”.
Autoritetet gjermane informojnë se Gjermania po shkëmben informacione me vendet e tjera për të mësuar më shumë në lidhje me zhvillimin e sëmundjes dhe po bashkëpunon në koncepte për të përmirësuar pandeminë.
E megjithatë, ndonëse disa mjekë të tjerë e kanë konsideruar këtë situatë vetëm ‘fillimin e luftës’, vlen të theksohet se Gjermania ka një sistem shumë të zhvilluar shëndetësor.
Kujtojmë se mjekët në vendin tonë bëjnë thirrje për të kundërtën, duke u kërkuar qytetarëve të vetëizolohen fillimisht, e madje disa prej tyre e kanë konsideruar ‘histerizëm’ dëshirën e tyre për të bërë analizat.
Në vendin tonë deri tani janë shënuar 33 të infektuar dhe një viktimë në qytetin e Durrësit, ndërkohë, ditën e sotme ka nisur “Shtetrrethimi” i cili do zgjasë deri të dielën në mesnatë.
Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që personat të cilët mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj individëve të dyshuar për COVID-19, duhet që të vetëkarantinohen dhe të monitorojnë shëndetin e tyre për 14 ditë, që nga dita e fundit me kontaktin e mundshëm.
Po ashtu, ata duhet të kërkojnë mbikëqyrje të menjëhershme mjekësore, nëse paraqesin ndonjë nga simptomat, veçanërisht temperaturë, simptoma respiratore si kollë dhe vështirësi në frymëmarrje apo diarre menjëherë të kontaktojnë 127.
Të gjithë qytetarët rekomandohet që të shmangin daljet në publik dhe të qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rregullat e higjenës