Skip to content
Bota

Koronavirusi në Ballkan/ Bullgaria shpall gjendjen e jashtëzakonshme, qeveria rumune në karantinë

· 2 min lexim

Qeveria rumune është futur në karantinë, pasi një senator rezultoi pozitiv me koronavirus.

Në një konferencë për mediat, kryeministri i përkohshëm Ludovic Orban tha për gazetarët, se të gjithë ministrat dhe zyrtarët që ishin në takimin me të prekurin, do të izolohen nëpër shtëpi.

Orban ditën e djeshme ishte gjithashtu në kontakt me presidentin rumun Klaus Iohannis, përpara se të vetëizolohej.

Më tej ai u bëri thirrje gazetarëve të pranishëm në takim, që të vetëizolohen.

Zyrtarët e Shëndetit, tashmë ndodhen në parlament, dhe po testojnë të gjithë anëtarët e Partisë Kombëtare Liberale, pjesë e së cilës është edhe kryeministri.

Deri më tani, Rumania numëron 70 raste të konfirmuara me koronavirus.

Kryeministri në detyrë ndërkohë, dha urdhër për pezullimin e fluturimeve dhe udhëtimeve me Italinë.

Situata nuk është aspak e mirë edhe në Bullgari, parlamenti i së cilës votoi unanimisht shpalljen e gjendjes së emergjencës, pasi në vend janë regjistruar 23 raste me koronavirus, ndërsa viktima e parë u shënua të mërkurën.

Kryeministri bullgar, Boyko Borissov, u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë rregullat.

Më tej ai shtoi se qeveria do të alokojë fonde të reja për shëndetësinë, për të përballuar situatën.