Shqipëria po përballet me masat ekstreme për shkak të koronavirusit.
Në vendin tonë janë shënuar 23 të infektuar edhe një viktimë, ndërsa harta e të prekurve është zgjeruar në disa qytete të Shqipërisë.
Mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion”, i bëri thirrje qeverisë që të mbyllë të gjithë lokalet dhe baret.
Sipas tij, kryeqytetasit lanë Tiranën ditën e djeshme, për të shkuar në drejtim të Korçës, Shkodrës apo Lezhës.
Pipero tha se ky është gabimi që bëri Italia në fazat e para të epidemisë, duke e shpërndarë virusin edhe në jug.
“Duhet të ketë masa edhe më drastike. Kur po vija këtu mora vesh që sot duke pasur frikë që nesër nuk mund të lëvizësh me qindra automjete kanë udhëtuar nga Tirana në drejtim të Korçës, nga Tirana në drejtim të Shkodrës, në drejtim të Lezhës për të bërë fundjavën. Besoj që kanë bërë apo po bëjnë një gabim shumë të rëndë dhe është gabimi të cilin bëri Italia në fazat e para të kësaj epidemie duke lejuar veriun të ikte në jug dhe u shpërnda në gjithë Italinë. Përmes jush bëj një thirrje tjetër, mirë që vajtën, por të bëhet një urdhër i prerë që nesër të mos hapet asnjë lokal, asnjë restorant, asnjë dyqan. Kanë bërë gabim, është gabim shumë i rëndë që bëhet në këtë situatë.”
Kryeministri Edi Rama dha urdhër për ndërprerjen e qarkullimit rrugor deri të dielën në mesnatë.
Ndërkohë prej dy ditësh, ushtria dhe policia kanë zbritur në terren, për të kontrolluar personat që nuk respektojnë rregullat e karantinës.
Qeveria ndërkohë ka urdhëruar mbylljen e shkollave, lokale, si dhe ka anuluar aktivitetet publike.
Ministria e Shëndetësisë ndërkohë ka bërë thirrje për respektimin e rregullave të higjienës dhe minimizimin e daljeve nga shtëpia.