Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka njoftuar ndërprerjen e fluturime dhe lundrimeve me Italinë.
Në një njoftim për mediat, ajo bën me dije, se nëse Italia kërkon të tërheqë shtetasit e saj, duhet të dërgojë avionë ose tragete bosh.
Përjashtim do të bëjnë vetëm avionët dhe anijet, që do të transportojnë mallra.
Përsa i përket personelit të anijeve dhe avionëve, Balluku tha se do të mbikëqyren nga grupet e Ministrisë së Shëndetësisë, të vendosura në Rinas, Durrës dhe Vlorë.
Ministrja njoftoi, se avioni i fundit i “Alitalias” është ulur sot në 10:30 me 64 pasagjerë.
Ndërkohë pas nisjes së avionit “Alitalia” nga Roma në 11:30, ndërpritet të gjitha fluturimet e pasagjerëve me shtetin fqinj.
Përsa i përket lundrimeve, të fundit që do nisen janë tragetet Durrës-Bari dhe Vlorë-Brindisi, pasi pasagjerët kanë prerë biletat.
“Avioni i fundit i Alitalias është ulur sot në 10:30 me 64 pasagjerë të cilët kanë kaluar dhe janë regjistruar nga grupet e Ministrisë së Shëndetësisë në Rinas për t’u kontrolluar dhe pas kërkimit që të vetëkarantinohen. Avioni tjetër është nisur në orën 11:30 ai i AlItalia nga Roma dhe këtu ndërpriten të gjitha fluturimet. Një shqetësim që na është shfaqur nga ambasada apo autoritetet italiane. Në rastet kur Italia do të tërheqë shtetasit e saj do të jetë e mundur vetëm kur AlItalia apo avionë të tjerë të aksesojnë Shqipërinë bosh, pa pasagjerë. Nuk do të lejohen më pasagjerë nga Italia për në Shqipëri. Avionët bosh mund të marrin pasagjerët. Bëjmë thirrje që kompanitë duhet të akomodojnë, si Austrian Airlines në Austri apo Air Albania në Shqipëri akomodoni me data të tjera ata që kanë prerë bileta. Sa i përket transportit detar, sot do të nisen tragetet e fundit Vlorë- Brindisi dhe Durrës- Bari me pasagjerët që kanë blerë bileta dhe janë për të udhëtuar sonte. Pas këtij itinerari ndërpritet çdo lundrim drejt Italisë. Edhe në rastin e transportit detar vetëm anijet që vijnë bosh nga Italia qoftë që vijnë për pasagjerë me nënshtetësi italiane apo dhe të tjerë”, tha Balluku.
Kujtojmë këtu se që prej ditës së djeshme, kryeministri Italian, Giuseppe Conte e ka futur vendin në karantinë.
Aktualisht në vendin tonë numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 10.
Pacientët janë vendosur të gjithë në urgjencën e Infektivit në QSUT.