Një rast i trafikut ndërkombatër të drogës është goditur së fundmi në Athinë. Një çift bashkëshortësh janë arrestuar në kryeqytetin grek në mjetin e tyre tip rulotë, ku janë gjetur 1.2 tonë lëndë narkotike marijuanë.
Operacioni i zhvilluar ditën e shtunë është bërë publik ditën e sotme, ndërkohë që mësohet se çifti e kishte transportuar drogën në rulotë nga Berlini dhe kishte hyrë në Greqi nga pika kufitare e Qafë-Botës, pra duke kaluar përmes Shqipërisë.
Në operacionin e kryer nga anti-droga e Igumenicës në bashkëpunim me atë të Athinës, janë sekuestruar 1 ton e 145 kg marijuane si dhe 68 kg hashash cokollate dhe 918 gram vaj hashashi.
Droga mësohet se ka kaluar mesditen e së shtunës nga pika e Qafë-Botës ndërsa vlera e saj arrin 1 mln 730 mijë euro.
Çifti i të arrestuarve të moshës 32 dhe 27 vjeç mësohet janë shtetas italianë dhe dyshohet se lënda narkotike kishte si destinacion Turqinë.