Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar ditën e sotme formularët e deklarimit të pasurisë Edmond Begos, Eduart Nazarit dhe Gentian Cakos.
Emri i Begos u përfol vitin e kaluar nga Partia Demokratike, për lidhjet me kreun e Grupit të PS, Taulant Balla.
Bego zotëron një sërë biznesesh luksi në Tiranë, ndërsa njohet edhe me disa emra të tjetë si Manoli Irfan Bega, Saimir Sina, apo Belul Gjahtari.
Ai është arrestuar në Greqi për trafik droge, ndërsa është dënuar edhe nga drejtësia italiane me 21 vite burg, por që Gjykata e Lartë e ka konvertuar në 4 vite.
Emri tjetër, Eduart Nazari nga Berati, është arrestuar në Greqi me 3.5 kg heroinë, të fshehura brenda mjetit.
Ndërsa emri i tretë është mjaft i njohur për policinë e Beratit.
Gentian Cako është dënuar për vrasje nga Gjykata e Korçës.
Ai u arrestua pak vite më parë, pasi ishte dënuar me 16 vite e 10 muaj burg për trafik droge, nga Gjykata e Milanos.
Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Njoftimi i plotë:
OFL, 5 mars Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë. Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
- N., banues në Berat, arrestuar në vitin 2013, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
- Ç., banues në Berat, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim”.
- B., banues në Tiranë, dënuar në Itali me 11 vjet burg, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.