Muaji i parë i 2020 u mbyll me statistika alarmante sa i përket aksidenteve automobilistike, ku u shënuan 506 aksidente dhe humbën jetën 16 persona.
Në këto kushte, policia shtoi masat ndaj shoferëve dhe muajin që lamë pas u paralajmërua se shumë shpejt, përveç dragerit të alkoolit, do përdoret edhe dragerin për të parë nëse drejtuesit kanë konsumuar lëndë narkotike.
Po ashtu, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se për herë të parë në Shqipëri shoferët do t’i nënshtrohen të ashtuquajturit ‘testi i idiotit’, për të parë gjendjen e tyre psikologjike kur efektivët shohin sjellje të dyshimta.
Këtë muaj duket se këto masa do konkretizohen pasi brenda kësaj jave pritet që Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit të bëjnë me dije propozimet që do t’i paraqisin Kuvendit për ndryshimet në Kodin Rrugor.
Raportohet se një prej propozimeve që do të bëhet është që drejtuesit e rinj të automjeteve të kenë më shumë penalizim se të tjerët dhe kjo masë parashikon që shoferët të cilët kanë më pak se 3 vite që kanë marrë patentën do të ndëshkohen 50 % më shumë për disa nga shkeljet e qarkullimit rrugor, si: parakalimet e gabuara, për përdorimin e alkoolit, mosdhënien e përparësisë, e disa shkelje të tjera.
Pritet që masa të kërkohen edhe ndaj drejtuesve të mjeteve që lëvizin duke përdorur celularin dhe gjoba për ta do variojë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë të vjetra, e ndërsa tashmë pritet që në propozimin e policisë, gjoba të shkojë nga 200 deri në 300 mijë lekë të vjetra.
Masa do merren gjithashtu edhe për këmbësorët, pasi parashikohet një rritje e gjobës për ta, e cila do fillojë nga 1 mijë deri në 4 mijë lekë.