Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka zhvilluar sot një takim të trefishtë me kryeministrin Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe kreun e PD-së Lulzim Basha, me të cilët ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri.
Pas takimeve ambasada amerikane ka publikuar një deklaratë të Yuri Kim, ku theksohet se në fokus të diskutimeve ka qenë Konferenca e Donatorëve, ku u mblodhën 1.15 miliardë euro për rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit .
Po ashtu, është diskutuar “edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike”.
“Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit. Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi.
Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike. Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, thekson ambasadorja.
Kujtojmë se opozita, pas dhënies së donacioneve në Bruksel, ka akuzuar Ramën se paratë e dhuruara do i përdorë për interesa personale.
Ndërkohë ditën e sotme, kreu i vendit Ilir Meta ka paralajmëruar protesta dhe ka ftuar qytetarët në një tubim më 2 mars.
Kësaj deklarate i është përgjigjur pak më parë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili tha se duhet një kornizim me ligj të funksionimit të Presidentit, teksa ka theksuar se policia shqiptare do të hyjë në histori si e para në planet që do të garantojë tubimin e parë anti- qeveritar nga kreu i shtetit.