Operacioni Forca e Ligjit zbarkoi ditën e sotme në qytetin e Kurbinit, ku i është dërguar formulari për deklarimin e pasurisë Ervis Martinajt.
Disa orë pas kërkesës së Forcës Speciale reagoi edhe avokati i subjektit në fjalë, Marash Marashi, i cili është shprehur se Martinaj nuk është subjekti i aktit normativ “Anti-KCK”, pasi në nenin 5 të këtij ligji janë të përcaktuara se kush janë subjektet.
Në një prononcim për mediat, Marashi deklaroi se klienti i tij nuk është hetuar dhe as nuk është i dënuar për veprat penale, ku parashikohet sekuestrimi i pasurisë, por gjithsesi ai do i përgjigjet policisë dhe do të deklarojë pasurinë.
“Kërkesa e policisë është ‘nul’.Ervis Martinaj nuk është subjekt i aktit normativ nr.1 të Kryeministrit, datë 31 janar te vitit 2020, pasi ai nuk është i denuar dhe as në hetim për asnjë nga veprat penale të parashkuara në nenin 5 të këtij Akti. Bazuar në vendimet gjyqësore që kanë shqyrtuar kërkesat e prokurorisë, rezulton se në veprimet e tij, nuk as dyshime se ai ka kryer veprën penale të vrasjes e aq më pak këtë vepër ta ketë kryer me paramendim,”- mësohet të ketë thënë Marashi.
Ervis Martinaj është nën hetim për ngjarjen e ndodhur në zonën e ish-bllokut në 4 tetor 2018, ku u vra Fabian Gaxha dhe u plagos Eljo Hato.
Po ashtu, në Prokurorinë e Tiranës ka nisur një hetim tjetër për Martinajn, për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.