Orët po mbarojnë dhe si duket Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë bashkë qeverinë e re.
Gazeta Express raporton se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.
Lajmin e ka konfirmuar anëtari i VV-së, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se Konjufca do ta lërë postin që e mori vetëm një muaj më parë.
Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka paralajmëruar se koalicioni do të nënshkruhet të dielën, më 2 shkurt.
Në qeverinë e re të vendit, të cilën do ta udhëheqë kreu i VV-së, Albin Kurti, do të jenë gjashtë ministra nga radhët e partisë së tij.
LDK-ja do ketë po ashtu gjashtë ministra në Qeverinë Kurti, ndërsa tri ministri do të udhëhiqen nga përfaqësues të pakicave në vend.
Mësohet se dy partitë kanë vendosur që për postin e presidentit të vendit të diskutojnë në të ardhmen.
Më 3 shkurt është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.
Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.
Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.