Abc News ka zbuluar një skandal në Policinë e Elbasanit.
Rreth dhjetë ditë më parë, pasi kishte pirë alkool mbi normën e lejuar, efektivi i policisë Astrit Manaj, me dëtyrë në komisariatin e këtij qyteti, merr makinën pasdite dhe niset nga Gramshi për në shtëpi.
Duke drejtuar makinën në gjendje të dehur, në aksin Cërrik-Papër ai përplas një makinë tjetër.
Në makinën e aksidentuar nga Astrit Manaj udhëtonin një çift me djalin e tyre dhjetë vjeçar, i cili u plagos. Ndërkohë, çifti që ndodhej në makinë shpëtoi paq, ndërkohë që djali i tyre gjendet në spital.
Astrit Manaj u kap duke drejtuar makinën në gjendje të dehur dhe u arrestua menjëherë nga policia.
Arresti i tij nuk zgjati më shumë se 48 orë pasi dy ditë më pas, në fshehtësi të plotë, gjykata jep masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të.
Burime për mediat raportojnë se ka dyshime të forta se në vendimin për ta nxjerrë sa më parë policin nga burgu ka ndikuar vajza e tij gjyqtare.
Ngjarja e rëndë, e cila u fsheh për 10 ditë nga policia, u mor vesh mes kolegëve dhe bëri që të ndërhynte SHÇBA për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Pikërisht pas kësaj ndërhyrjeje, Astrit Manaj është pezulluar nga puna.