Në Kuvend u miratua ditën e djeshme, një ligj i cili synon të vërë rregull në fushën e ndërtimeve, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Në ligj theksohet procesi i auditimit teknik, për të gjitha ndërtesat që kanë më shumë se 50 vite.
Përsa i përket mbikëqyrjes, do të bëhet nga organet shtetërore dhe do të përfshijë objektet publike dhe private me vlerë mbi 100 milion lekë.
“Oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve, për të gjitha: a) ndërtimet publike; b) ndërtimet jopublike, me vlerë të preventuar, së paku, 100 milionë lekë; c) objektet me akses publik”, thuhet në nenin 3 të ligjit.
Rregullat sesi do të zbatohet auditimi, apo subjektet që do ta kryejnë, do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 2
Pas nenit 4 shtohet neni 4/1, si më poshtë vijon: “Neni 4/1, Të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, i nënshtrohen procesit të auditimit teknik. Rregullat për mënyrën sesi do të zbatohet auditimi dhe cilat do të jenë subjektet që do ta kryejnë atë, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Neni 3
Neni 6 riformulohet si më poshtë vijon: “Neni 6, Oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve, për të gjitha: a) ndërtimet publike; b) ndërtimet jopublike, me vlerë të preventuar, së paku, 100 milionë lekë; c) objektet me akses publik.
Kryeministri Rama theksoi gjatë fjalës së tij, se nëse shkelet leja ose nuk zbatohet projekti, do të merren masa deri në sekuestrimin apo shembjen e objektit.
“Nuk mund të ketë ndërtesa që janë gjysmë të ligjshme, gjysmë të paligjshme. Në momentin kur ke marrë leje për të bërë 5 kate dhe bën 6, ndërtesa është e gjitha e paligjshme. Nuk mund të jetë që të prishet kati i gjashtë. Jo, nuk prishet kati i gjashtë, se të prishësh katin e gjashtë do të thotë të hysh në një histori që nga pikëpamja ekonomike, nga pikëpamja inxhinierike, nga pikëpamja e kohës, e stërmundon shtetin, ndërkohë që ndërtuesit nuk i hyn asnjë gjemb në këmbë. Prandaj, ajo çka duhet bërë taksative është që çdo volum i ndërtuar për qëllim fitimi, pra, flasim për banesa, për godina me shumë njësi, nuk flasim për shtëpitë e njerëzve në fshat, duhet ose shembur, ose sekuestruar për qëllime sociale. Nuk mund të jetë më pronë e atyre që e kanë ndërtuar. Vetëm mbyllja e këtij cikli do të bëjë që më në fund edhe në Shqipëri të kemi ndërtime që janë në përputhje me ligjin”, u shpreh Kryeministri.