Policia e Shkodrës ka arrestuar sot një shtetas të shpallur në kërkim për shpërdorim detyre.
Pas një pune të mirëorganizuar u kap dhe u ndalua Tomë Shyti, 56 vjeç, banues në fshatin Theth, Shkodër.
Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër, me vendim të formës së prerë Nr.917, datë 22.11.2018, e ka dënuar me dy vite burg, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të metejshme.
Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur sekuestro preventive për rreth 41.500 m2 tokë në zonën turistike të Thethit, e dyshuar si e regjistruar në emër të disa shtetasve të ndryshëm, në bazë të dokumenteve të falsifikuar, të përpiluar nga ish-kryetari i Komunës Shalë (Theth), Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish-vartësit e tij, Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi.
Prokuroria e Shkodrës është në përfundim të hetimit për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për tre ish-zyrtarët, ndërkohë që ka marrë lejen nga gjykata për caktimin e masës së sekuestros për pronat e shpërndara prej tyre, në bazë të procedurave fiktive dhe jo-ligjore.