Pas tërmetit të 26 nëntorit, kryeministri Edi Rama, i bëri thirrje administratës, që të kufizojë shpenzimet, për rimëkëmbjen e vendit
Mirëpo Operatori i Sistemit të Transmetimit, mesa duket nuk i është bindur urdhërit të kryeministrit.
“Pamfleti” ka siguruar listën e prokurimeve të OST, ku bien në sy shpenzimet për udhëtimet Tiranë-Bruksel, të zyrtarëve të këtij institucioni.
Enti në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që drejtohet nga ministrja Belinda Balluku, ka shpenzuar 40 milion lekë (të vjetër) vetëm për muajin janar.
Blerjet e biletave janë të përfshira në shpenzimet për shërbimet publike.
Kjo është shuma, e cila llogaritet pa shpenzimet për akomodimin nëpër hotele, të cilët njihen për çmimet e kripura.
Shpenzimet për biletat dhe akomodimin nëpër hotele, nuk janë i vetmi problem, pasi po ti hedhim një sy dokumentit, vërehet se hapja e tenderit, prezantimi i ofertave, mbyllja dhe shpallja e fituesit janë bërë brenda të njëjtës ditë, 16 janar 2020.
Fitues i tenderit është shpallur operatori ALBTOURS D-VAS tour, ndërsa nuk dihet nëse ka pasur edhe ofrues të tjerë.
Procedura e përshpejtuar për shpalljen e fituesit si dhe shuma e madhe e shpenzuar për biletat, pa llogaritur akomodimin nëpër hotele, krijojnë dyshime të forta në lidhje me qëllimin e vizitave drejt Brukselit.
Nuk dihet ende përse zyrtarët e OST e kishin me kaq nxitim që të udhëtonin drejt Brukselit.
Gazetareforma.com ndërkohë ka kontaktuar me OST dhe është në pritje të një përgjigje, për të hedhur më shumë dritë rreth kësaj historie.