Turqia paralajmëroi një tërmet 7.6 ballë që do ndjehet deri në Austri, sizmiologu shqiptar tregon pasojat që mund të shkaktojë në vendin tonë kjo goditje
Në situatën kur Turqia sapo është prekur nga një tërmet i fuqishëm dhe Shqipëria ende vuan pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, një lajm aspak i mirë erdhi dje nga shteti turk.
Ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu paralajmëroi se vendi duhet të bëhet gati për një tërmet 7,5 ballë që pritet të godasë Stambollin.
Po ashtu, president i Dhomës së Inxhinierëve Gjeologë, Engin Er, u shpreh se një tërmet me fuqi 7.6 ballë pritet të godasë në Silivri, pranë detit Marmara.
Sipas tij, lëkundja do jetë aq e fortë, sa do ndjehet deri në Itali dhe Austri.
Në këto kushte ky tërmet pritet të ndjehet edhe në Shqipëri.
Rreth kësaj ka folur sizmiologu Rrapo Ormeni, i cili ishte i ftuar në 360°.
Ormeni tha se vendi ynë është mbi 2500 km larg, kjo bën që energjia të shuhet dhe ndjeshmëria në vendin tonë mund të jetë deri në 5-6 ballë.
Sipas Ormenit tërmetet deri në 6 ballë nuk janë dëmtues, por vetëm frikësues.
Rrapo Ormeni: Është një tërmet me magnitudë 7.5 rihter, që i thonë mbi 10 ballë. Kjo do të thotë që shkakton dëmtime të mëdha. Vetëm godinat e dëmtuara fort nuk i rezistojnë. Por Shqipëria është rreth 2500 km larg, ai këtu do të vijë 5-6 ballë. Nuk shkakton asgjë tek ne. Pragu kur fillojnë dëmtimet është 7 ballë. 6 ballë nuk ka efekt dëmtues, 5 ballë është vetëm i frikshëm që ndihet nga njerëzit. Që nga epiqendra që është në Turqi këtu vjen i ulët. Ai do të ketë efektin e ndjeshmërisë, por jo efekt dëmtues. Energjia do shuhet.
Kujtojmë se tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 51 viktima, plagosi qindra të tjerë dhe la mijëra të pastrehë.