Një hap i rëndësishëm është marrë në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Ndonëse kryeministri Rama është kritikuar shpesh për marrëdhëniet e ngushta me Erdoganin, duket se qeveria vijon t’i forcojë raportet.
Së fundmi, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, po zhvillon një vizitë dy ditore në Ankara, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Gjatë kësaj vizite, Denaj u prit nga Ministri i Sportit dhe Rinisë, po ashtu Kryetar i Komisionit të Përbashkët Ndër-Qeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Turqi- Shqipëri, Mehmet Muharrem Kasapoğlu.
Ata nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit të Sesionit të 12-të të Komisionit të Përbashkët Ndër-Qeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Tregtar, Industrial dhe Teknik Turqi- Shqipëri.
Ministrja Denaj theksoi ecurinë e bashkëpunimit ekonomik dhe tendencën në rritje të shkëmbimeve tregtare ndërmjet vendeve tona.
Për më tepër, ajo u shfaq entuziaste rreth mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit dhe për kalimin në një fazë më të avancuar dhe me projekte konkrete.
Tregtia, energjia, industria, arsimi dhe formimi profesional, shëndetësia, turizmi, transporti, bujqësia dhe mjedisi janë disa nga fushat ku të dyja palët dakordësuan të vendosin në agjendat e tyre për bashkëpunim në vijim, deri në takimin e radhës, i cili do të zhvillohet në Tiranë vitin e ardhshëm.
Gjatë vizitës së saj ministrja Denaj u takua po ashtu edhe me presidentin e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, TOB, Rifat Hisarciklioglu.
Ata u dakordësuan për organizimin brenda dy muajve të ardhshëm të një takimi të ngushtë biznesesh nga të dyja vendet në Tiranë, në zbatim të marrëveshjes të nënshkruar mes dy unioneve, si dhe dhënien e asistencës teknike për të ndihuar në rritjen e rolit të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë dhe fuqizimin e kapacitetit të saj.