Skip to content
Të Gjitha

Vizitat e Dritan Dajtit në zonën e ish-Bllokut dhe 21-Dhjetorit, zbardhet itinerari

· 2 min lexim

Shoqërimi i Dritan Dajtit, i arrestuar për vrasjen e katër oficerëve dhe një biznesmeni, në zonën e ish-Bllokut më 10 janar shkaktoi polemika të shumta.

Më pas u bë me dije se Dajti ishte shoqëruar për të kryer dy vizita mjekësore.

Lidhur me këtë ngjarje Ministria e Drejtësisë njoftoi shkarkimin e disa efektivëve të policisë.

Në njoftimin e ministrisë thuhej është shkelur neni 33 i ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, dhe neni 106 i rregullores së përgjithshme të burgjeve, ku parashikohet se ” të paraburgosurit dhe të dënuarit mund të kërkojnë që të vizitohen, me shpenzimet e tyre, nga një mjek i zgjedhur nga ata.”

Por, kjo kërkesë vlerësohet nga strukturat  përkatëse duke vlerësuar mundësitë për marrjen e trajtimit të specializuar të të dënuarit nga spitali i burgjeve dhe organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë.

Ajo që ka ndodhur është se nuk është kryer një vlerësim i situatës dhe të riskut dhe janë ndërmarrë masa të papërshtatshme për shoqërimin e të dënuarit jashtë institucionit, e duke sjellë një rrezik potencial për rendin dhe sigurinë.

Disa ditë më parë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve(SHKBB), ka referuar në Prokurori disa prej efektivëve të shkarkuar.

SHKBB ka marrë dëshmitë e punonjësve që kanë qenë prezentë gjatë shoqërimit, një ndër ta edhe përgjegjësi i Sektorit të Forcave Operacionale, Ferit Mici.

Mici ka treguar itinerarin e lëvizjes, nga nisja e Forcave Operacionale deri te mbërritja.

Sipas tij, gjatë gjithë rrugës Forcat e Rendit kanë shoqëruar makinën ku ndodhej Dajti, ndërsa në rrethrrotullimin e TEG-ut u janë bashkuar edhe Forcat “Shqiponja”.

Nga Forcat Operacionale është bërë kontrolli i ambienteve ku do bëhej vizita dhe janë vendosur punonjës të Policisë.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka bllokuar kalimin e mjeteve në ambulancë dhe trotuar gjatë futjes së të dënuarit në furgon.

E njëjta procedurë është ndjekur edhe për vizitën në ish-Bllok.

Pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në klinikën në “21 Dhjetor” SHKBB nuk ka vërejtur veprime të dyshimta.