Gjykata e Gjirokastrës pritet të dënojë me burgim të përjetshëm, Apostol Kostën, i akuzuar për vrasjen e çiftit Afërdita dhe Aleko Kosta.
Prokurori Emëror Kasaj lexoi një ditë më parë pretencën për të pandehurin, duke kërkuar burgim të përjetshëm.
Ndaj Apostol Kostës rëndojnë veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Ai u arrestua më 25 tetor të 2017-ës, pas vrasjes së çiftit, në rrugën “Sokaku i të marrëve”.
Shkak për vrasjen u bënë konfliktet gjyqësore për shembjen e një muri.
Në vendin e krimit, janë gjetur gjithashtu edhe dy granata.
Bazuar në dëshmitë e të afërmve, Apostoli ka tentuar të vrasë edhe veten pas krimit.
Në ditët në vijim, priten konkluzionet e palës mbrojtëse dhe më pas gjykata do të japë vendimin.
Aleko Kosta ishte muzikant saksofonist, ndërsa Afërdita Kosta mësuese.
Para pak kohësh ata kanë qenë protagonistë në rubrikën “Ka një mesazh për ty” te emisioni “E diela shqiptare”.