Jorgo Stavro është emigranti shqiptar, të cilit i dogjën banesën në Rusan të Delvinës.
Ai la Greqinë së bashku me të vëllanë për të investuar në Shqipëri në prodhimin e vajit të ullirit, por është përballur me shumë sfida.
Mes lotësh dhe me zërin që i dridhet, ai ka lëshuar akuza të forta për drejtësinë.
“Ça t’i themi fëmijëve; të keqen babai, shiko bëmë një pasuri këtu por këtu nuk është për t’u rrojtur. Këtu është për të ikur natën. Ça të marrim ligjin në dorë? Jo!”, tha Stavro.
Ai ka rrëfyer për “Balkanweb” një ngjarje të dy viteve më parë, ku disa persona i kanë vjedhur vajin e ullirit.
Ai tregon se gjykata i liroi pasi nuk kishin prova të mjaftueshme, madje i detyruan që t’u kthenin vajin, me pretekstin se i kanë rënë në qafë.
Çfarë ndodhi sot?
Me gjithë këtë investim të madh që kam bërë këtu, bashkë me vëllain tim, kemi bërë shumë gabim, pasi mund të jetonim në Greqi, pa ndihmën e askujt. Pasi ata mund të na ndihmonin në çdo aspekt. Jo, këtu nuk bëhet.
A dyshoni tek ndonjë person?
Unë nuk kam ardhur që të krijoj konflikte këtu, por të shoh punën time. Ndoshta njerëzit këtu dhe punëtorin e kanë halë në sy, ndoshta.
A jeni hasur me ndonjë rast të tillë më parë?
Nuk kam pse të hasem. Më përpara na ka ndodhur një vjedhje në 2018-ën. Na kanë hapur banesën, na kanë marrë vajin e ullirit, me të cilin rritim fëmijët dhe mundohemi të jemi sa më dinjitoz në rrjetin tonë. Pasi ndodhën këto kemi lajmëruar policinë. Kanë ardhur kanë marrë shenjat, por s’kanë bërë aq sa duhet.
A janë kapur hajdutët?
Po u kapën, por i liroi gjykata se nuk kishin prova të mjaftueshme. Një prej tyre deklaroi se; unë e bëra. Gjykata na tha në fund; do ju ktheni dhe vajin, pra me demek se ne u ramë në qafë atyre. Kjo është Shqipëria.
Pra dhe pse ishit në të drejtën tuaj, nuk e gjetët atë?!
Ja shikojeni vet.
Ka ardhur policia sot në vendin e ngjarjes?
Erdhi dhe tha; “zotëri do vini të bëni një denoncim”. Po i thashë; “E di, këtu mbaron çdo gjë”.
Jorgo u bëri apel organeve të drejtësisë, që t’i japin zgjidhje kësaj çështjeje, pasi kjo situatë do të vazhdojë. Ai kërkon nga shteti që të gjenden autorët e djegies së banesës, pasi i kanë bërë një dëm prej 8 milion lekësh.
Cili është apeli juaj sot?
Unë i drejtohem organeve përkatëse që të na japë një zgjidhje, pasi kjo nuk është një ditë dhe mbaroi. Por është një jetë se do rrisim fëmijët. ‘Ça t’i themi fëmijëve; të keqen babai, shiko bëmë një pasuri këtu por këtu nuk është për t’u rrojtur. Këtu është për të ikur natën’. Ça të marrim ligjin në dorë? Jo! Unë pres nga shteti që të më gjejë autorët, pasi më kanë bërë një dëm e më kanë bërë një dëm 8 mln lekë. Pres nga shteti që të gjejë hajdutët. Ne i gjetëm dhe ata i lanë të lirë. Sot hajduti kalon në fshat dhe tallet me mua. Po patjetër që do ta bëjë. Përderisa shteti funksionon kështu, s’na mbetet gjë tjetër; t’i shesim ose t’u falim. Të ikim!