Genc Ferhati është dënuar me 25 vite burg për atentatin me kundërtank në vitin 1999, ku vrau Denis Ginën dhe Median Shehun.
Po ashtu, Ferhati është dënuar me 6 vite burg në 6 janar 2017 nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, nën akuzën “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” në dëm të një pronari kafeneje.
Ferhati, konsiderohet si i forti i rrugës së Kavajës dhe miku i Emiljano Shullazit.
Së fundmi, thuhet se që prej dhjetorit 2018, Ferhati po ndjek thuajse të njëjtën rrugë ligjore në gjykatën e Krujës, siç bëri Endrit Dokle që fitoi lirinë para disa ditësh .
Burime pranë Gjykatës së Krujës kanë thënë për Shqiptarja.com se Genci Ferhati prej dhjetorit 2018 e deri më tani, ka depozituar 8 kërkesa në gjykatë me objekt ulje dënimi dhe njohje të amnistive të viteve 2012, 2014, 2015 dhe 2016.
Të gjitha kërkesat për ulje dënimi, janë pranuar nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, e cila fillimisht në dhjetor të 2018 ka pranuar uljen me dy muaj e 10 ditë burgim për Genci Ferhatin.
7 muaj pas këtij vendimi në datën 2 korrik 2019 Hoxha ka vendosur t’i ulë 2 vite e 5 muaj burgim Ferhatit.
Kjo pasi Hoxha, ka vendosur ti pranojë uljen e dënimin me 90 ditë burgim, për 10 vite me radhë, duke filluar për periudhat si më poshtë 1999-2000, 2000 deri 2001, viti 2003, viti 2006, 2007,2008,2009, viti 2016 dhe për periudhën kohore 2017.
Më tej në 27 dhjetor 2019 Hoxha ka pranuar ti ulë dënimin me 90 ditë burgim ose 3 muaj.
Por pas uljeve dy herë të dënimit, Ferhati, tashmë i është drejtuar gjykatës së Krujës me katër kërkesa për njohjen e amnistisë për vitet 2012, 2014, 2015 dhe 2016.
Nuk dihet ende çfarë vendimi do merret ndaj Ferhatit.