Nitin dhe Chetankumar Sandesara, janë vëllezërit indianë të kërkuar për pastrim parash në Indi, të cilët arritën të merrnin nënshtetësinë shqiptare.
Në kohën kur shpërtheu skandali, ata ndodheshin në Shqipëri dhe investonin në fushën e ndërtimit.
Gjatë shtatorit të 2018-ës, erdhi letërpororsia e dytë nga India për arrestimin e tyre.
Autoritetet shqiptare nuk iu përgjigjën palës indiane, dhe dy biznesmenët u larguan nga Shqipëria.
Burime të sigurta për Gazeta Reforma, bëjnë me dije se vëllezërit Sandesara janë kthyer sërish në Tiranë.
Mirëpo edhe kësaj here autoritetet shqiptare kanë heshtur dhe nuk kanë reaguar.
Nitin dhe Chetankumar Sandesara akuzohen për një skemë pastrimi parash prej 725 milion dollarësh amerikanë.
Ata kanë qenë pronarët e firmës farmaceutike, “Sterlind Biotech” dhe përgjatë viteve 2008-2011 kanë marrë me kredi miliona dollarë nga bankat shtetërore të Indisë.
Paratë nuk kanë shkuar në llogarinë e “Sterling Biotech”, por janë shpërndarë në 300 kompani offshore, të ngritur nga vetë ata.
Skandali në Indi shpërtheu në janar të 2018-ës, pas hetimit të krimit ekonomik.
Pas bllokimit të pronave të kompanisë farmaceutike, indianët erdhën në Shqipëri.
Më 6 shkurt të 2018-ës, ata arritën të merrnin nënshtetësinë shqiptare, ndërsa kërkoheshin në të gjithë planetin.
Dështimi i autoriteteve shqiptare merr përmasa akoma edhe më të mëdha, pasi vëllezërit Sandesara kanë ngritur dy kompani në sektorin e ndërtimit, “Tulja Real Estate” dhe “Laxmi Real Estate”, të regjistruara edhe në QKB.
Që nga ardhja në Shqipëri, nuk është bërë asnjë përpjekje për arrestimin e tyre.
Kunati i tyre Hiteshkumar Patel, qëndroi vetëm 40 ditë në burg dhe më pas u la i lirë nga gjykata.
Ndërtimi është cilësuar nga DASH si veprimtaria kryesore e pastrimit të parave në Shqipëri.
Skandali ngre pikëpyetje të forta jo vetëm për origjinën e parave, por edhe për frikën e shndërrimit të Shqipërisë në parajsë fiskale.