Vrasja e gjeneralit të forcave iraniane, Qasem Soleimani, ka ndezur gjakrat mes Iranit dhe Amerikës.
Ambasadori i Iranit në OKB, Majid, Takht Ravanchi, e ka konsideruar një akt lufte vrasjen e Soleimanit.
Ravanchi në një intervistë për CNN është shprehur, se Irani nuk mund t’i mbyllë sytë nga ajo që ka ndodhur.
Ai ka bërë thirrje për një hakmarrje të ashpër ndaj SHBA-ve.
“Mbrëmë SHBA-të filluan një luftë të ashpër ushtarake duke vrarë një prej gjeneralëve tanë më të mirë. Pra, si duhet të veprojë tani Irani? Ne nuk mund të heshtim. Ne duhet të veprojmë edhe atë ashpër”, tha Ravanchi.
Ndër të tjera ambasadori Iranian shtoi, se ndaj një sulmi ushtarak, duhet vepruar ushtarakisht.
Qasem Soleimani ishte figura më e fuqishme në Iran, pas liderit Ayatollah Khameini.
Soleimani ishte koka e aktivitetit të regjimit iranian në Lindjen e Mesme.
Ai gjithashtu konsiderohet se arkitekti i ofensivës së regjimit të Bashar al-Assad ndaj rebelëve në Siri.
Njëkohësisht Soleimani kishte ngritur grupe paramilitare në Irak, për të luftuar ndaj ISIS.
Pas ofensivës së SHBA në Irak në vitin 2003, Soleimani filloi të ngrinte grupe ushtarake dhe është përgjegjës për një sërë sulmesh ndaj bazave amerikane, duke vrarë qindra ushtarë.