“Prishje pazaresh droge”, PD jep versionin e saj për sulmin me granatë ndaj kryebashkiakut të Lushnjes
Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me sulmin me granatë ndaj kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe.
Sipas PD, shkak për atentatin është bërë prishja e pazareve të drogës mes Tushes dhe ish-shoferit.
Në reagim thuhet, se personi që ka kryer sulmin është një trafikant droge dhe prostitucioni dhe njeriu më i besuar i Tushes.
PD shton, se ish-shoferi bënte çdo pazar në emër të kryebashkiakut dhe financonte fushatën e tij elektorale.
Deklarata e plotë e PD
“Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Bashkinë e Lushnjës është pasqyra e vërtetë e drejtimit të vendit nga Edi Rama në çdo nivel, në qeverisjen qendrore dhe atë lokale.
Të gjitha rrethanat tregojnë se goditja e kryebashkiakut të Lushnjës është prishje pazaresh mes tij dhe ish shoferit, me të cilin ka ndarë bashkë para nga droga, prostitucioni dhe korrupsioni.
Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes. Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij.
Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, është tregues i degradimit të shtetit të ndërtuar prej Edi Ramës, si dhe një fakt më shumë se njerëzit me të cilët ai përfaqësohet, ble vota dhe mban pushtetin janë llumi i shoqërisë.
Për Partinë Demokratike ka vetëm një mënyrë për të dalë nga kjo krizë përfaqësimi. Këto janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë, të cilat do të largojnë nga drejtimi i vendit kryeministrin me rekordet më të zeza të lidhjeve me krimin dhe korrupsionit dhe për t’u dhënë qytetarëve një qeveri që punon për mirëqenien dhe sigurinë e tyre.”
Ish-shoferi i Bashkisë së Lushnjes, Gëzim Saraçi, hodhi ditën e sotme një granatë nmë zyrën e kryebashkiakut Fatos Tushe.
Si pasojë e shpërthimit, mbetën të plagosur Tushe dhe sekretarja e tij, Erisa Qalliu.
RENEA ka rrethuar zonën dhe po punon për kapjen e Gëzim Saraçit.