Shqipëria ka hequr vizat me Bjellorusinë.
Dy vendet kanë firmosur një marrëveshje, që u lejon qytetarëve të të dy shteteve të udhëtojnë dhe të qëndrojnë për 30 ditë në vendet përkatëse.
Marrëveshja është nënshkruar në Ambasadën e Bjellorusisë në Moskë, më 27 dhjetor.
Ambasadori shqiptar në Rusi, Arben Gazioni, ka firmosur marrëveshjen së bashku me homologun Vladimir Semashko.
Kjo marrëveshje synon ndër të tjerë: lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, promovimin e marrëdhënieve të biznesit e turizmit, si dhe zgjerimin e kontakteve kulturore e sociale.
Kujtojmë që Bjellorusia gjendet në Evropën Lindore dhe kufizohet me Rusinë, Ukrainën, Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë (tre të fundit anëtare të BE-së).
Ka një popullsi që arrin gati 10 milionë dhe ekonomia bjelloruse renditet 72-ta në botë.