Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh me rastin e festave të fundvitit.
Rama ia kushtoi mesazhin e tij ngjarjes së rëndë të 26 nëntorit, që mori 51 jetë njerëzish dhe la të pastrehë mijëra të tjerë.
Kreu i qeverisë tha se mrekulli ishte dora e Zotit që u ndal aty.
“Në momente posaçërisht të vështira sprovuam durim. Na lëkundën deri edhe tokën nën këmbët tona. Tërmeti i 26 nëntorit ishte kulmi tragjik i këtij viti. 51 të vdekur e thuajse 1 mijë të plagosur. Mijëra familje humbën çatitë mbi krye, dhejtra familje të tjera në Durrës dhe Tiranë që lanë banesat të pllakosura nga frika. Mund ta kishim kthyer vendin tonë vite e vite pas. Duke kaluar ditë dhe nesër poshtë gërmadhave, apo ne korridoret e spitaleve, funerale, apo kampet e përkohshëm, nuk më është ndarë një sekondë mendimi se do kishte qenë edhe me keq, shumë më keq. Në një farë mënyrë ishte mrekulli që numri i të vdekurve nuk qe shumë i lartë, që numri i të plagosurve nuk qe i lartë, apo dhe numri i banesave e pallateve të shembura. Mrekullia ishte nga dora e Zotit që u ndal aty, por dhe nga mijëra e mijëra duar tona.”
Rama vlerësoi ndihmën e shqiptarëve në këto ditë të vështira, por, siç ndodh shpesh në fjalët e tij, edhe në këtë mesazh ai nuk i kurseu kritikat për mediat.
Në fjalën e tij ai thotë se ky vend i ndarë nga mediat u bashkua nga tragjedia e tërmetit.
“Reagimi i menjëhershëm i forcave tona shpëtoi mijëra jetë e kuroi mijëra plagë të mëdha e të vogla në trupat e qindra të plagosurve. Falë edhe valës së nxehtë të qindra mijëra zemrave shqiptare dhe falë ngrohtësisë që sollën në zemrën tonë të thyer qindra forca nga vendet mike ndodhi mrekullia e rilindjes së shpresës mu në mes të asaj zymtie. Shqipëria e ndarë nga mediat u bashkua, si rrallëherë shqiptarët u bënë bashkë përballë një tragjedi që e na tregoi sa të vegjël jemi e sa të fortë mund të jemi kur bashkë i dalim të keqes përballë. Pamë me sytë tanë vlerën e paçmueshme të njerëzillëkut të duarve të shtrira dhe ia dolëm. Përtej jetëve që nuk i kthejmë dot, përtej plagosjeve, përtej shkatërrimeve ne ia dolëm t’i mbijetojmë me dinjitet goditjes aq tragjike. Ia dolëm të mos lëmë vetëm asnjë fatkeq, mos të lëmë jashtë asnjë familje. I dolëm t’i japim strehë dhe ushqim të ngrohtë mijëra familjeve. Ia dolëm ta përballojmë furtunën e emergjencës imediate shumë herë më shpejt dhe më mirë se kurrë më parë në këtë shtet. Po njësoj ne do ia dalim edhe në sfidën e rindërtimit pavarësisht se kurrë me parë nuk i ka rënë një barrë e tillë një qeverie. Ne do ia dalim sepse sot jemi më të fortë se para tërmetit. Jemi të vetëdijshëm për forcën që kemi. unë jam i bindur në forcën e kësaj shumice qeverisëse dhe vendosmërinë e saj.”, pohoi kryeministri.