Viktor Ymeri, ose “Torri i Xhihanes”, njihet si një nga njerëzit më problematikë në Vlorë.
Ymeri konsiderohej nga policia ndër personat më të afërt të Gazmend Brakës.
Braka në bashkëpunim me Ymerin kanë ekzekutuar në 1999 në Durrës dy anëtarë të një tjetër grupi kriminal, Arben Pajën dhe Ilir Xhungën.
Kështu, Viktor Ymeri u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata e Apelit.
Mirëpo, së fundmi Gjykata e Elbasanit ka vendosur ta lirojë nga burgu.
Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Enkeleda Kapedani.
Koha e përllogaritjes së shlyerjes së këtij dënimi, sipas Gjykatës së Apelit, fillon në 29 qershor 1999, dhe që prej kësaj dite e deri më tani, pjesa më e madhe e dënimit prej 25 viteve burgim thuajse se është kryer.
Ymeri është liruar në kushtet kur vendimi tjetër gjyqësor pranon si ditë burgu edhe ditët e punës.
Por, mësohet se Prokuroria e Elbasanit do ta apelojë vendimin.
Sipas saj, gjykata ka zbatuar gabim ligjin, pasi ka llogaritur si ditë dënimi ditët e punës së kryera në burg.
Gjykata nuk ka reaguar ende mbi apelimin, por sipas “News 24” Ymeri ka lënë qelinë gjatë ditës së sotme.
Po ashtu, Ymeri është daja i Edison Harizaj, i cili u ekzekutua me 50 plumba më 7 nëntor 2018 në Durrës.