Një edukatore e fshatit SOS me iniciale B.B , 44 vjeç, ka ushtruar dhunë mbi të miturit e kësaj qendre.
Ngjarja është bërë e ditur nga vetë fëmijët, të cilët kanë filmuar dhunën ndaj një 10 vjeçari .
“Në dhomën ngjitur ku shërben nëna kujdestare dëgjoheshin zhurma dhe të qara fëmijësh. Zhurmat sa vinin dhe shtoheshin, nga zëri njoha të qarat e Mustafait, dhjetë vjeç dhe zërin e nënë Blerinës që po e rrihte atë, mora telefonin dhe incizova çfarë po ndodhte”, tregojnë vajzat që kanë regjistruar ngjarjen.
Pas filmimit, ato kanë njoftuar drejtoreshën Mimoza Manaj, e cila ka urdhëruar largimin nga puna të 44 vjeçares.
Po ashtu, Manaj i është drejtuar komisariatit numër një, ku ka denoncuar rastin.
Pas ekspertimit të videos së regjistruar nga fëmijët policia ka thënë për Top Channel:
“Personi që po bën videon duket që hap një derë dhe afrohet në një ambjent tjetër. Dëgjohen të qarat e një fëmije dhe zëri i lartë duke bërtitur i një personi të rritur femër. Dëgjohen gjithashtu zhurma si ato të goditjeve me duar, që korenspodojnë me të qarat e fëmijës dhe të bërtiturat e të rriturit. E njëjta gjë konstatohet edhe në videon e dytë”.
Aktualisht shtetsja B.B është vendosur nën hetim për keqtrajtim të të miturve.