Pak momente më parë, ish-deputeti demokrat, Bardh Spahia publikoi një shkresë, ku urdhërohej pezullimi i operacioneve nga data 30 dhjetor 2019 deri në 6 janar 2020 në spitalin e Shkodrës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të këtij institucioni, Ardian Dajti.
Ky i fundit sqaron se operacionet nuk janë ndaluar për 6 ditë por vetëm për datën 30 dhjetor.
Sipas tij, ditët e tjera janë pushim zyrtar.
Dajti theksoi se shkresa është një komunikim i brendshëm i nëndrejtorit të spitalit me shefat e shërbimit.
Në fund ai shprehu keqardhjen që kjo situatë po shfrytëzohet politikisht.
“Më vjen keq që në këto ditë kur duhet të jemi në shërbim të pacientëve na duhet të reagoj për një postim në rrjetet sociale, mbi keqinterpretimin e komunikimit të brendshëm të një titullari të institucionit me shefat e shërbimit. Unë nuk e kam lexuar. Mora informacion nga mënyra si është para. Dua të bëj të qartë se shërbimi në spitalin e Shkodrës është në gatishmëri maksimale. Nuk ekziston asnjë urdhër. Është një komunikim që të jemi sa më të gatshëm për të menaxhuar këtë situatë. Në të gjithë botën ka anulim të operacioneve për të shtuar gatishmërinë. Nëse i referoheni periudhës në shkresë, bëhet fjalë vetëm për një ditë, pasi ditët e tjera janë ditë pushimi zyrtare. Vetëm ditën e hënë do të anulohen për t’u bërë në ditët në vijim. Asnjë operacion nuk pezullohet apo pengohet. Ai që e ka shkruar besoj se me një interpretim të thjeshtë e kupton që është një komunikim mes nëndrejtorit me dy shefat. Bëhet fjalë për një ditë sepse janë ditë pushim. Dhe në ditë pushimi nuk bëhen planifikime për operacione. Ky staf mjekësor i ka përballuar me vite këto flukse. Ai nuk është urdhër por një komunikim i brendshëm. Kjo po shfrytëzohet politikisht. Prej ditës së sotme po punohet normalisht“, tha Dajti.