TIRANË– Presidenti Ilir Meta është shprehur shumë herë kundër ndikimit të Sorosit në vendin tonë.
Për më tepër ai e ka akuzuar atë se ka investuar në Shqipëri para për ta kthyer vendin në një “Deep state”, ku qeveriset me PPP.
Ishte kjo arsyja pse takimi i tij me Aleksandër Sorosin javën që shkoi ngjalli debate të shumta.
Lidhur me këtë temë Meta ka folur sot për 360 gradë.
Ai ka thënë se takimi ishte kërkuar nga Soros kohë më parë.
Meta tha se nuk ka patur lidhje me “Mini-Shengenin”, ndonëse u zhvilluan në të njëjtën ditë.
“E dramatizuat mjaft këtë takim. Po e relaksoj pak. Që Ilir Meta të dorëzohet kjo është pak si me hile. Por që Ilir Meta të ketë frikë të takojë dikë dhe t’ja thotë publiksht atë që mendon pasi ja ka thënë publiksht e ka për detyrë apo jo? Aq më tepër kur dikush e kërkon një takim me insistim dhe aq më tepër kur unë kam thënë edhe kur kam bërë akuzat në lidhje me kapjen e sistemit në korrik që është i mirëpritur në Shqipëri për çdo gjë, por jo për këto gjëra.
Nëse ti ndikon për kapjen e shtetit, të i kundërtën e asaj që predikon, këtu ka përplasje. I kam shprehur mendimet e mia për kapjen e drejtësisë, i kam sqaruar edhe situatën më të fundit për Gjykatën Kushtetuese, për çështjet e tjera që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe mediat dhe së treti për shoqërinë civile. U diskutua dhe për situatën e tërmetit, e ngriti zotëria. Nuk ka pasur asnjë diskutim për minishengenin. Ka qenë takim i kërkuar, edhe në gusht por s’kam qenë këtu. Ka qenë takim zyrtar”, u shpreh Meta.
Takimi i Metës e të birin e filantropit Gorgeo Soros, Aleksandër Soros, u zhvillua më 20 dhjetor, ditën që u mbajt Samiti i 3 i “Mini-Shengenit”.
Meta u shpreh se i ka shprehur atij shqetësimin mbi përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe për domosdoshmërinë e gjallërimit të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut.