Bashkia e Tiranës ka miratuar një vendim për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e e pallateve.
Depozitat janë të vjetra dhe të amortizuara, të cilat rrezikojnë të dëmtojnë konstruksionin mbajtës të tarracave.
Sipas vendimit, në pallatet e shpallura të pabanueshme pas tërmetit, ku njerëzit janë evakuuar, procesi po ndiqet nga vetë bashkia.
Ndërkohë në pallatet ku nuk janë regjistruar dëme pas tërmetit, depozitat do të hiqen përkohësisht.
Ky proces do të jetë përgjegjësi e banorëve, që duhet të bashkëpunojnë me administratorin e pallatit, për të mundësuar një gjë të tillë.
“Për këto objekte banimi, asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët brenda datës 30 janar 2020, duhet të jenë pajisur me raportin e inxhinierit konstruktiv të licencuar mbi qëndrueshmërinë e tarracës së pallatit. Një kopje e këtij raporti i dorëzohet dhe Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi pranë Bashkisë Tiranë, e cila sipas rastit njofton strukturat përkatëse. Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve në bashkëpunim dhe me strukturat përkatëse të Bashkisë Tiranë, jo më vonë se data 30 janar 2020 të identifikojnë vendet e përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit”, thuhet në vendim.
Asmbletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve, duhet të marrin masa për vendosjen e depozitave në ambiente të përshtatshme dhe të izoluara.