Ish-Drejtoresha e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, Ketrin Treska ka rrëfyer të gjithë të pathënat ndër vite, pas shkarkimit. Me anë të një emaili të personalizuar ajo u ka dërguar mesazhe të personalizuara kryeministrit Edi Rama, ministres Etilda Gjonaj, kolegëve në ministri dhe atyre të Euralius. Treska i ka kërkuar Ramës, që ta ndihmojë Gjonajn, si të sillet me kolegët e bashkëpunëtorët. Ajo i drejtohet kryeministrit, duke i thënë se vetëm imazhi i mirë i Gjonajt, nuk do ta ndihmojë qeverinë.
“Të lutem ndihmoje Etildën! Ndihmoje të sillet me kolegët e bashkëpunëtoret, ashtu si imagjinojnë se sillet me ju. Tregoja me takt të lutem që ta kuptojë se kjo është shumë e rëndësishme për Ministrinë dhe për vete Qeverinë. Ndihmoje të gjejë një Kabinet, ca drejtorë dhe këshilltarë të mirë. Ndihmoje në këtë drejtim se, vetëm imazhi i “vajzës së mirë”, nuk do ta ndihmojë qeverinë që po kryeson, të këtë ministri që ndihmon suksesin” , shkruan Treska në emailin drejtuar kryeministrit.
Më tej treska ka thumbuar Gjonajn, e cila e shkarkoi, duke i kujtuar episodin për biletat e shtrenjta të avionëve dhe hoteleve, ndërsa i thotë se në publik dukesh kokë ulur dhe punëtore.
“Etilda e dashur, të erdhi radha e përshëndetjes, Gjithmonë të kam menduar më kërshëri. Një vajzë e thjeshtë nga qyteti i bukur i Pukës, që ka arritur gjithcka ka dëshiruar në jetë një grua apo vajzë shqiptare, madje shumë shpejt. Një familje të mrekullueshme. Një karrierë për t’u patur zili. Pa shumë mundime në administratë, në moshën 36 vjec Ministre e Drejtësisë. Të njeh gjithë Shqipëria, (pra edhe e famshme), shumë kanë simpati.Je simpatike dhe elegante. E papërfolur për dy vite ministre, përvec ndonjë episodi si biletat e shtrenjta të udhëtimeve dhe të hoteleve jashtë vendit. Kokë ulur dhe punëtore dukesh në publik”, vijon email i Treskës.
Për kolegët e Euralius ka vetëm falenderime, ndërsa i ka kërkuar që t’i dhurojnë pak mirësi dhe takt ministres.
“Dhurojini pak takt dhe mirësi nga e juaja edhe ministreshës së Drejtësisë shqiptare. Ka nevojë!” shkruan ndër të tjera ajo.
Treska ka numëruar 2795 ditë punë në ministri, ndërsa thekson se nga 176 të shtuna e të diela, ka bërë vetëm 26 ditë pushim.
Ajo ka një apel për kolegët e saj, të cilëve u thotë, që të mos e lejojnë më ministren t’i kërcënojë me fjalën shkarkim, apo t’i fyejë.
“Kam një këshillë për ju, mos duroni kurrë t’ju shkelet dinjiteti, apo t’ju drydhë personalitetin nga askush, as nga Gent Sekretari, as nga Etilda Ministresha. Mos e lejoni më! Mos lejoni më asnjëri qoftë, grua pa takt dhe shpirt humbur t’ju mbajë peng me fjalën ‘shkarkim’. Nuk do dua kurrë t’ju imagjinoj më, ashtu si ju shihja shpesh tek gëlltisni lotët dhe ndjenjën e tmerrshme të fyerjes, njësoje si episodi i të premtes së kaluar. Mos e lejoni më njërën, as tjetrën. Puna nuk është çark, është punë dhe frymë bashkëpunimi në grup, për përmbushjen e objektivave” vijon më tej Treska.