Mbledhja e sotme në Komisionin e Medias ka nisur me debate të forta.
Ka qenë pedagogu i gazetarisë, Mark Marku, i cili ka kundërshtuar me forcë, propozimin e qeverisë për ligjin kundër shpifjes.
Sipas Markut, ky ligj e kthen sërish Shqipërinë në diktaturë dhe na largon nga Europa.
Pedagogu ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se po synon të shtypë edhe zërin e lirë që ka mbetur.
Marku ka bërë thirrje për të bojkotuar këtë ligj, duke nënvizuar se do të shërbejë për promovimin e markës Rama.
Pedagogu tha gjithashtu, se kush deputet e voton këtë ligj, merr pjesë në krim.
“A kemi ne objektiva për të shkuar në Euoropë, me këtë ligj nuk shkojmë në Europë. Kryeministri gjithmonë ka tentuar të shtypë median. Meqënëse propagnada e vet i ka dështuar sepse ka bërë 6 vjet propagandë të dështuar, kjo propagandë funksionon vetëm në sisteme diktatoriale, vetëm një zë i lirë e shkatërron të gjithë propagandën dhe ky ligj këtë synon të shtypë edhe zërin e lirë që ka mbetur. Tani qeveria po synon të cënojë hapësiën e mediave të reja përmes kërcënimit, arroganca që përforcohet kundër kundërshtatrit mund të kthehet edhe kundër atyrë që sot mbështesin kryeministrin. Ky ligj është për të promovuar markën Rama dhe nëse nuk e promovojmë atëherë ai kërcënon se do të na fusi në burg. Ky ligj është kërcënim për lirinë e medias, bëj thirrje për të bojkutuar këtë ligj. Nesër Rama ka për të bërë ligj për ndalimin e lehjes së qenve. Ky ligj është hartuar nga injorantë në fushën e medias. Turp të kenë pasi kërkohet të shtypet liria e medias. Çdo deputet që e voton merr pjesë në krim. E keni bërë Kuvendin si furgon”, tha Marku.