Pas publikimit të 660 emrave të parë, Bashkia e Durrësit ka publikuar një tjetër listë me 644 familje, të cilët përfitojnë nga bonusi i qirasë, duke e çuar në 1310 totalin.
Të dhënat janë njoftuar nga Drejtoresha e Shërbimeve Publike në Bashkinë e Durrësit, Emirjana Sako, shkruan “Agjencia Telegrafike Shqiptare”.
Sipas Sakos, prioritet do të kenë familjet, banesat e të cilave janë shembur nga IKMT, si dhe ato të pabanueshmet.
Deri më tani vijon ajo, kanë aplikuar 1900 familje për bonus qiraje.
Sako tha se dokumentacioni kryesor që kërkohet nga bashkia, është vërtetimi nga njësia përkatëse dhe një kartë identiteti.
Përsa i përket shumave, ajo u shpreh se për apartamentet 1+1 bonusi do të jetë 20 mijë lekë të reja, për ato 2+1 do të jetë 25 mijë lekë të reja dhe për 3+1 do të jetë 30 mijë lekë të reja.
Sako bën me dije, se këto nuk janë çmimet e qirave në Durrës, por me rritjen e kërkesave pas tërmetit, është rritur edhe çmimi i tyre.
Drejtoresha nënvizon, se Këshilli Bashkiak, ka miratuar edhe vendimin për ngritjen e një grupi pune prej 100 punonjësish, të cilët do të riparojnë dëmet në banesat pa pronarë, ose të ndërtuara para viteve 90’.