Këshilli i Autoritetit të Mediave Audiovizive, shqyrtoi sot projektligjin e përgatitur nga qeveria.
Me tre vota kundër nga pesë anëtarë, AMA doli kundër ndryshimeve në ligj.
Anëtarët e AMA-s që votuan kundër ishin Sami Nezaj, Agron Gjekmarkaj dhe Suela Musta.
Sipas tyre, ndryshimet e reja cënojnë lirinë e mediave online.
Gjithashtu propozimet e qeverisë, anashkalojë parimin bazë të medias së shkruar, atë të vetërregullimit.
AMA ka konstatuar, se ndryshimet e propozuara nga qeveria, nuk janë mbështetur mbi praktikat e vendve të lira e demokratike.
Deklarata e plotë e AMA-s
Këshilli i AMA shqyrtoi sot projekligjin e përgatitur nga qeveria dhe sipas procedurës u votua në bord në lidhje me kërkesën e Parlamentit për dhënie mendimi. Me tre vota kundër projektligjit nga pesë anëtarë, AMA jep përgjigje negative në lidhje me ndryshimet që janë bërë ligjit “Për mediat Audiovizive në Republikëne Shqipërisë”, që synojnë rrregullimin përmes institucioneve publike të medias së shkruar online.
Projektligji ngarkon AMA dhe Këshillin e Ankesave në këtë institucion për implementimin e ndryshimeve të pritshme nëse projekligji miratohet në Parlament.
Tre anëtarët e AMA-s, paraqitën argumente që lidheshin me nevojën për forcimin e lirisë së mediave online, lirisë së mendimit dhe të drejtës për informim përmes rritjes së profesionalizmit, mbështetjes së mediave të reja, vetërregullimit të tyre, rritjes së edukimit për median, gjë që ndryshimet e parashikuara në ligj nuk e realizojnë.
Propozimet e qeverisë ndrydhin lirinë dhe zhvillimin e medias informative online.
Propozimet e qeverisë anashkalojnë një nga parimet më të rëndësishme të medias së shkruar atë të vetrregullimit ndërkohë që aktet ndërkombëtare dhe veçmas direktiva e BE për mediat audiovizive inkurajon edhe vetë rregullatorët ti japin përparësi këtij parimi.
Fatkeqësisht ndryshimet në ligj nuk janë mbështetur mbi këto praktika të vendeve të lira dhe demokratike duke i dhënë AMA, një institucioni të pavarur parlamentar ndër të tjera edhe kompetenca për vlerësimin e përmbajtjes editoriale të mediave.