Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka komentuar takimin tri palësh ndërmjet kryeministrave të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqeonisë së Veriut.
Kurti është shprehur, se Shqipëria duhet të priste deri në formimin e qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, “Minishengeni Ballkanik”, duhet të fillonte nga Kosova dhe jo Serbia apo Maqedonia e Veriut.
Kreu i Vetëvendosjes i ka quajtur gabim në hapa takimet e kryeministrit Edi Rama, me homologët Aleksandër Vuçiç e Zoran Zaev.
“Një lloj vrapi në Novi Sad dhe në Shkup, është gabim në hapa. Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund. Sepse i tillë çfarë është ai i pa penduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në luftim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit nuk mund të ketë. Rrjedhimisht mendoj që edhe mbledhja e Novi Sadit edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa. Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur qeveri të denjë në Kosovë, për bashkëpunim çfarë ajo ka dashur, e ka qenë e nevojshëm për të gjithë neve. Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumëvjet, ka mundur të pres edhe pak javë që të formohet kjo qeveri, e të bashkëpunojmë siç dum të gjithë ne”, u shpreh Kurti, raporton Kosova Press.